Zerohen lindjet e reja me talasemi, parandalimi mbetet ende sfidë për prindërit

350 fëmijë dhe të rritur me talasemi marrin aktualisht terapi pranë QSUT-së. Mjekët japin lajmin e mirë se lindjet e reja më këtë sëmundje janë zeruar dy vitet e fundit.
“Parandalimi ka funksionuar. Çiftet e reja janë të informuar dhe depistohen për situatën gjenetike që ata kanë. Gjatë dy viteve të fundit ne jemi thuajse drejt zeros së lindjeve të fëmijëve me talasemi. As vitin e kaluar dhe as këtë vit nuk kemi lindje të reja. Kemi vetëm një fëmijë 1,5 vjeç me talasemi major, por që edhe ai është në procedurë për të kryer transplantin e qelizave staminale,” tregon Manika Kreka, mjeke pediatre onkohematologe pranë QSUT-së.
Për Klodiana Gjinin nga Fieri, parandalimi nuk ka funksionuar. Nëntë vite më parë, e informuar, ajo iu nënshtrua analizave depistuese.
“Pavarësisht asaj, mjeku më këshilloi që unë ta sillja në jetë vajzën, edhe pse analizat tregonin se unë dhe im shoq ishim bartës në një përqindje të ulët. Ndihem e zhgënjyer dhe e revoltuar njëkohësisht, se nuk është se kjo gjë ndodhi për shkak të mosinformimit tim. Solla në jetë një fëmijë me talasemi [major] dhe pasojat i vuan më shumë fëmija,” rrëfen znj. Gjini.
Drejtuesit e QSUT-së përpiqen që shërbimi të mbulojë të gjitha sfidat.
“Si pasojë e anemisë, e cila sjell pasoja në organet e tjera vitale, duke shkaktuar probleme kardiake, hematologjike, infektive etj. Këta pacientë monitorohen rregullisht në vazhdimësi, duke evituar edhe komplikacionet që vijnë si pasojë e kësaj patologjie. Në QSUT bëhen edhe analizat gjenetike për të mundësuar parandalimin e fëmijëve me këtë patologji,” thotë Alma Cani, drejtuesja e QSUT-së.
Klodiana ka frikë të sjellë në jetë një fëmijë tjetër, ndërsa apelon prindërit e ri që të sigurohen paraprakisht.
“Të sigurohen mirë dhe me kë këshillohen për analizat, sepse si ajo që më ndodhi mua ka pasur edhe prindër të tjerë, të cilët pavarësisht se kryen analizat, u lejuan të sjellin në jetë fëmijë të sëmurë,” thotë znj. Gjini.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/