Zëvendësimi i Muhos, debate të forta në KQZ. Anëtarët e opozitës lënë mbledhjen
Debatet për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së janë zhvendosur në sallën e mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Anëtari i LSI-së Ilirjan Muho ka munguar në mbledhje, ndërkohë që tonet mes anëtarëve të tjerë të KQZ-së kanë qenë të forta.
Zëvendëskryetari Denar Biba, e cilësoi si të papranueshme atë çka ka ndodhur një ditë më parë.Në emrin tim po ju drejtohem të gjithëve dhe po them se pavarësia e këtij institucioni ka rëndësi themelore. Ligji na konsideron institucion që do të jetë thuajse si gjykatë. Duhet tu japim shqiptarëve besimin tek shteti i së drejtës. Politika e ditës nuk na do të pavarur. Duke na parë si politik e hoqën kolegun tonë si të ishte përfaqësues partie politike. Dje ka qenë një ditë e zezë dhe sot mund të bëhet edhe më keq nëse sot ata në parlament të mos kenë guximin ta votojnë,- u shpreh Biba.
I menjëhershëm ishte reagimi i Kryetares së KQZ-së Lefteri Lleshi e cila deklaroi se KQZ ka detyrën e saj dhe nuk mund të marrë në kompetencë diskutimi ato çështje të cilat i takojnë Kuvendit. Ti fole kundër politizimit dhe vet së pari fole politikisht, u shpreh Lleshi.
Ndërkohë anëtarja Albana Shtylla, theksoi se ishte në nderin e kryetares së KQZ-së të mbante qëndrim për ngjarjen e djeshme. Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë. Këta anëtarë po trajtohen si kukulla lecke dhe sa herë që i gjithëpushtetshti kërkon të ndërrojë anëtarët e KQZ. Është në nderin tonë ti përmbahemi raporteve të OSBE-ODHIR, që thotë larg duart nga KQZ. Ju ftoj të reagoni se jo pak herë me fjalë keni kërkuar që politika të rrijë larg KQZ, bëjeni këtë me vepra dhe jo me fjalë të bukura, zonja kryetare.
Pas saj Njazi Kosovrasti, vëzhgues nga Partia Demokratike deklaroi se po shkelet rregullorja ndërsa jashtë rendit të ditës mund të flasin përfaqësuesit e forcave politike dhe jo anëtarët e KQZ-së.
Pas debateve të forta, anëtarët e PS dhe PBDNJ janë larguar nga mbledhja dhe kanë deklaruar se në ditët në vijim do të vendosin nëse do të marrin pjesë në mbledhjen e radhës, që është caktuar për ditën e hënë.
11 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Zëvendësimi i Muhos, debate të forta në KQZ. Anëtarët e opozitës lënë mbledhjen burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email