PS: Berisha ka dështuar me premtimin për ish-ushtarakët
Partia Socialiste akuzoi kryeministrin Sali Berisha se gjatë 8 viteve të keqqeverisjes së vendit ka harruar ish-ushtarakët, ushtarakët në rezervë, ish-punonjësit e Policisë të Shtetit të nxjerrë në reformë.
Sali Berisha premtoi dy muaj përpara zgjedhjeve të 2009, Ligjin për pensionet e ish-ushtarakëve dhe ish-punonjësve të Policisë së Shtetit. Premtoi dhe, siç pritej, nuk e mbajti këtë premtim: ai refuzoi zbatimin e atij ligji dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007, i cili u jepte të drejtë ish-ushtarakëve. Një të drejtë që vetë ai kish shkelur në vitin 2006 me një akt normativ tërësisht anti-kushtetues. Dinjiteti i nëpërkëmbur i ish-ushtarakëve është pjesë e asaj historie rrënimi të madh që po ndodh me Forcat e Armatosura dhe me Policinë e Shtetit, deklaroi deputetja Vasilika Hysi.
Ajo premtoi në emër të PS-së se pas ardhjes në pushtet ushtarakëve aktivë dhe ish-ushtarakëve do tu rikthehet dinjiteti i munguar dhe do të zgjidhen përfundimisht problemi i pensioneve. Ne do të zgjidhim përfundimisht problemet e zvarritura të pensioneve të ushtarakëve në lirim, policisë dhe shërbimit informativ.
Ne do të ndërtojmë skema të veçanta kontributive dhe përfitimesh, të kapitalizuara ose gjysmë të kapitalizuara, për sigurimin për pensione sipas vjetërsisë në shërbim, si edhe të përfitimeve shtesë për sigurimin e jetës së ushtarakëve që punojnë në kushte me risk të lartë.
Qeverisja socialiste do të rishikojë të gjithë statuset e ish-ushtarakëve, duke synuar shmangien e ndërhyrjeve çekuilibruese në skemat e përfitimeve nëpërmjet konsiderimit të masave si:
- trajtim në varësi të shkallës së riskut;
- skema të mbyllura përfitimesh me llogari individuale gjysmë të financuara, duke marrë pjesë në fondet e kapitalizuara;
- krijimin e një organizmi të pavarur, i cili do të jetë administrues i fondeve të përfitimeve suplementare për të gjitha kategoritë me statuse të veçanta.
Ne do tu japim ushtarakëve të liruar përfitimin e pensionit të parashikuar në ligjin Nr.9418 dt.20.05.2005 dhe do të shfuqizojmë të gjitha ligjet, aktet normative, vendimet e qeverisë apo urdhëresat e qeverisë aktuale që janë në kundërshtim me ligjin nr 9418 dt. 20.05.2005 Për sigurimin shoqëror të ushtarakeve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë, ka përfunduar Hysi.
11 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
PS: Berisha ka dështuar me premtimin për ish-ushtarakët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email