E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendësimi i Thaçit sjell probleme në PDK?

Heqja dorë nga posti i deputetit i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, duket se do të krijojë probleme brenda partisë që ai udhëheq.

Burime të Kosovapressit tregojnë se ka tendenca që të bëhet presion mbi Abdyl Imerin që është në radhë me më së shumti vota për ta zëvendësuar Thaçin në Kuvend. Tendencat janë që Imeri ta lirojë vendin e fituar dhe të zëvendësohet nga Ismail Kurteshi, i cili është me numër më të vogël të votave.

Sipas informacioneve që posedon Kosovapressi nga burimet e veta, Abdyl Imerit është duke iu bërë presion nga partia e tij që të japë dorëheqje nga posti i deputetit, të cilin e ka fituar pasi që ka dhënë dorëheqje Thaçi nga posti i deputetit dhe ky post t’i lihet Ismail Kurteshit. Ky i fundit shpesh ka qenë i zëshëm brenda partisë dhe, sipas këtyre burimeve të Kosovapressit, atij po tentohet t’i bëhet vendi i deputetit, në mënyrë që të mos ketë më ankesa brenda PDK’së nga ana e tij.

I kontaktuar nga Kosovapressi, Imeri ka thënë se nuk është në dijeni të një gjëje të tillë.

“Ndaj meje nuk ka ndonjë kërkesë. Askush nuk më ka thënë asgjë për këtë çështje. Unë do ta marr postin e deputetit. Përderisa jam në radhë, sigurisht se do të jem deputet”.
Ndërkaq, Ismail Kurteshi ka thënë për Kosovapress se nuk ka ide për një gjë të tillë. Vetëm ka theksuar se është i dyti në listën e pritjes për deputetë.

“Unë vetëm e di që jam i dyti dhe tjetër gjë nuk di. Me mua nuk ka biseduar askush. Unë mendoj që ai e ka rendin dhe ai duhet të shkojë. Po ashtu, konsideroj që këta që pavarësisht se e kanë ndrequr me Kushtetutë, i kanë uzurpuar këto vende”, ka thënë Kurteshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›