Zëvendëskryeministrja Koçiu viziton të lënduarit nga zjarri në QSUT: Janë në gjendje të mirë shëndetësore

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi mëngjesin e sotëm në QSUNT personat e lënduar nga zjarri i pasdites së djeshme, për t’u njohur nga afër me gjendjen e tyre shëndetësore dhe ecurinë e trajtimit.
Sipas mjekëve, zjarrfikësit e lënduar paraqiten në gjendje të mirë dhe pritet të dalin nga spitali gjatë ditës së sotme.
Gjatë vizitës, Zëvendëskryeministrja Koçiu shprehu vlerësim dhe mirënjohje për ndërhyrjen e tyre të guximshme dhe profesionale, e cila mundësoi shpëtimin e jetëve dhe shmangien e pasojave të rënda për banorët e pallatit të përfshirë nga flakët.
Një ditë më parë zjarri përfshiu një pallat pranë QSUT-së, ku 30 banesa u shkrumbuan plotësisht dhe 11 persona u lënduan, mes tyre dhe zjarrfikës.
Pallati u përfshi nga flakët pasditen e djeshme (14 prill), ndërsa aksioni gjithëpërfshirës i zjarrfikësve, emergjencave civile, policisë, forcave Renea bëri të mundur që të mos kishte asnjë jetë të humbur.
/rtsh.al/