Zëvendësministri Selimi priti ambasadoren e Malajzisë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka zhvilluar sot një takim pune me Ambasadoren e Malajzisë në Itali, jorezidente në Republikën e Kosovës, Datin Paduka Halimah Abdullah.
Gjatë takimit, zëvendësministri Selimi e njoftoi ambasadoren e Malajzisë për zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Kosovë, progresin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës gjatë viteve pas shpalljes se pavarësisë, përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi gjithashtu foli edhe për zhvillimin ekonomik në Kosovë, me ç’rast shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve bilaterale me Malajzinë, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, arsimit, turizmit dhe politikës së jashtme bilaterale dhe multilaterale.
Ambasadorja e Malajzisë në Republikën e Kosovës, Datin Paduka Halimah Abdullah vlerësoi lartë progresin në Kosovë duke çmuar hapat që ka marrë Kosova në konsolidim të shtetësisë.
Ajo konfirmoi mbështetjen e Malajzisë, e cila ka qenë ndër shtetet e para që ka hapur Zyrë Diplomatike në Prishtinë, që pas përfundimit të luftës më 1999.
Ambasadorja Halimah po ashtu konfirmoi mbështetjen e Malajzisë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke e quajtur proces esencial për njohjen e mëtutjeshme të Kosovës në forume ndërkombëtare.
Ambasadorja jorezidente në Kosovë, përgëzoi Qeverinë e Kosovës për suksesin e arritur në fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar, avancimin e procesit të njohjeve si dhe për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si hap i rëndësishëm në rrugën integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.