E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjatet afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Qeveria ka miratuar sot aktin normativ për zgjatjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Afati është shtyrë deri në 31 maj 2025.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha në një dalje për mediet bëri me dije se kjo do të zgjidhë shumë shpejt gjithë ngërçin e krijuar, pasi janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë të cilëve u ka skaduar dokumenti i identifikimit.

“Sot Këshilli miratoi një akt shumë të rëndësishëm për zgjatjen e afateve të vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Kjo situatë e krijuar e cila do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar, pasi janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit. Në këtë mënyrë, me miratimin këtij akti do të kenë mundësi të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese,” tha Hoxha.

Hoxha theksoi se “me miratimin e këtij aktit të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ, duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit”.

I pyetur në lidhje me kërkesën e Partisë Demokratike që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të kenë mundësi të votojnë me dokumente biometrike të shtetit ku jetojnë, ministri tha se kjo nuk është e mundur.

“Kjo nuk është e mundur të bëhet, pasi ligji nuk e parashikon. Të gjithë shtetasit shqiptarë të cilët kanë karta identiteti të pavlefshme dhe pasaportë biometrike të pavlefshëm pas miratimit të aktit që bëmë sot do të kenë mundësi të regjistrohen në PER sipas udhëzimeve të PER”, tha Hoxha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›