E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhja e drejtorit të ri të RTSH-së, OSBE: Procesi të jetë transparent, i bazuar në meritë

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar vendosi ditën e djeshme me shumicë votash që të pezullojë procesin e zgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së, deri pas seancës dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Pas këtij vendimi, ka reaguar sot edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmes një njoftimi, në të cilin thuhet se “OSBE i bashkohet mbështetjes ndërpartiake, Asociacionit të Gazetarëve, SCIDEV-Center dhe Safe Journalists në mirëpritjen e vendimit të RTSH-së për të pezulluar procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm”.

Në njoftimin për mediet, prezenca e OSBE-së bën thirrje për një proces transparent, të bazuar në meritë, që të sigurojë drejtësi dhe llogaridhënie. “Presim me interes seancën dëgjimore të së hënës”, theksohet në postimin në rrjetet sociale.

Kujtojmë që vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pas kërkesës së Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik të Kuvendit për t’u njohur me ligjshmërinë e procedurave të ndjekura deri më tani për përzgjedhjen e kandidatëve të kualifikueshëm.

Gjatë mbledhjes së datës 27 janar, komisioni ad hoc i ngritur nga Këshilli Drejtues votoi pesë platforma të paraqitura dhe kualifikoi dy kandidatë për fazën e dëgjesës.

Ditën e hënë në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik është parashikuar të mbahet seanca dëgjimore me Këshillin Drejtues.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›