Rama: 95% e shërbimeve publike online, asnjë shans për ryshfet

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Platforma globale e zhvillimit të talenteve të teknologjisë, “Plug and Play”, ka zgjedhur Tiranën si qendrën e saj të 51-të në botë, për të mbledhur talentet e Ballkanit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm në këtë event, theksoi se vendi ynë ka pozicionin më të përparuar në qeverisje digjitale, sepse ofron 95% të shërbimeve publike online.
“Ndërkohë që sot ne kemi pozicionin më të përparuar në qeverisjen digjitale në të gjithë rajonin dhe jemi në pjesën e sipërme të klasifikimit edhe në Europë, dhe kjo jo e thënë nga ne, por e nxjerrë në të gjitha klasifikimet, sepse ofrojmë 95% të shërbimeve publike online dhe praktikisht kemi kryer, falë sistemit të ri që kemi ndërtuar, mbi 45 milionë shërbime në total, që janë mbi 45 milionë kontakte personash me persona, janë mbi 45 milionë qëndrime në radhë, janë mbi 45 milionë rrugë për të shkuar deri tek zyra atje ku për të marrë shërbimin janë mbi 45 milionë shanse të humbura për çdo formë ryshfeti dhe bakshishi,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi më tej se “e kemi nisur nga bishti me një numër qesharak dhe disfunksional shërbimesh dhe nëse sot ne kemi në platformën e shërbimeve publike mbi 3 milionë përdorues, individë apo biznese, e kemi nisur me më pak se 50 mijë përdorues. Edhe ata, që thjesht dhe vetëm ishin regjistruar, po nuk është se merrnin shërbime”.
“Është një transformim rrënjësor të mendosh që në pak javë akoma, ne çelim dyert e një parku teknologjik që do të mirëpresë të gjithë start-up-et apo kompanitë që funksionojnë në botën digjitale me legjislacionin më favorizues në të gjithë këtë pjesë të Europës. Dhe që tani kanë filluar shumë interesime nga kompanitë, qoftë nga kontinenti ynë, qoftë edhe deri nga Shtetet e Bashkuara, për t’u vendosur në atë park, i cili është midis Tiranës dhe Durrësit dhe quhet “Durana” Tech Park. Po ashtu, po përgatisim dhe bashkë me ADF-në do i japim jetë dhe “Vlora Tech Space” në qendrën që po përfundon së ndërtuari në Vlorë,” u shpreh Rama.
Rama tha më tej se “TUMO-ja do të spostohet, do të vendoset apo do të degëzohet, po themi, jo se do iki nga këtu, po do rritet edhe në Shkodër, edhe në Elbasan e kështu me radhë”.
/r.e/a.f/