E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhja në krye të Kuvendit, Meta urohet nga Sequi dhe Ali Ahmeti

I zgjedhur me 91 vota pro për drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë për katër vitet e ardhshme, kryeparlamentari dhe kreu i LSI, Ilir Meta ka marrë dhe urimet e para për zgjedhjen në krye të detyrës. I pari ka qenë ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili ndërsa ndoqi nga afër punimet e sotme të Kuvendit i përcolli zotit. Meta këtë urim përmes mediave:

Dëshiroj ti jap urimet e mia më të mira zotit Meta për zgjedhjen e tij si kryetar i Kuvendit dhe nuk kam dyshim se ai do ta udhëheqë Kuvendin e Shqipërisë në mënyrë të urtë dhe në mënyrë efikase. Gjithashtu dua të theksoj edhe rezultatin, pra rëndësinë në fakt të shifrave që dolën. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ashtu siç kemi thënë ne edhe në prioritetet kyçe dhe në raportet e progresit Parlamenti është një institucion kyç për demokracinë në vendtha ai.

Ndërkaq edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e ka uruar Kryetarin e ri të Kuvendit, duke shprehur bindjen se me urtësinë dhe përvojën e gjatë politike, do të arrijë të harmonizojë të gjitha forcat politike në Kuvend për ta arritur synimin e madh të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

I dashur z. Meta, Kam nderin e veçantë që në emër të të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe në emrin tim personal, tju shpreh urimet tona të përzemërta për zgjedhjen tuaj për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Zhvillimi i një procesi shembullor i zgjedhjeve të përgjithshme në qershor si dhe fillimi i punës së përbërjes së re të Kuvendit me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha partive parlamentare dëshmon që Shqipëria është e gatshme që të merr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që në samitin e dhjetorit të këtij viti. Unë jam i bindur që ju, me urtësinë dhe përvojën tuaj të gjatë politike, do të arrini të harmonizoni të gjitha forcat politike në Kuvend për ta arritur këtë synim të madh të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Duke ju uruar shëndet dhe punë të mbarë, ju shtrij dorën për ta vazhduar bashkëpunimin tonë që filloi në kohëra të vështira për kombin shqiptar dhe që po vijon edhe sot, ndërsa unë jam i bindur që do të vazhdon edhe në të ardhmen thekson Ahmeti në urimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›