E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhje të kontestuara, PS: KQZ-ja ishte nën presion politik

TIRANË - Që nga pluralizmi e deri më sot vendi ynë ka njohur vetem zgjedhje të kontestuara. Zgjedhjet e 28 qershorit 2009, nuk do të njihen nga Partia Socialiste, siç edhe është bërë e ditur pak ditë më parë në mbledhjen e Asamblesë. Sipas opozitës zgjedhjet nuk i plotësuan standardet demokratike. Ndërsa sot anëtari i KQZ, përfaqësues i të majtës ne kete institucion deklaron se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i vuri vulën një procesi totalisht të deformuar.

"Ky proces u karakterizua nga standarde të një demokracie të munguar, ku pushteti vendos fituesin pavarësisht vullnetit dhe votës së qytetarit. Për fat të keq, ndryshe nga sa mund të shpresohej nga optimistët që besonin se 18 vjet rropatje në labirintet e hileve elektorale, këto zgjedhje do të garantonin standardet qoftë dhe minimale, aq shumë të kërkuara nga qytetari shqiptar, aktorët dhe faktorët lokalë si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, edhe ky proces, rezultoi i deformuar që në nisje, vazhdoi të jetë i tillë në të gjitha hallkat e tij dhe u mbyll njëlloj apo dhe më keq, i deformuar në fund të tij". Kështu është shprehur Genci Gjoncaj pak minuta pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare nga KQZ-ja.

Ai shkon më tej, kur thotë se ligji u mposht nga presioni dhe KQZ-ja u shndërrua në një repart sulmi ndaj të drejtës legjitime dhe kushtetuese të barazisë së votës, numurimit e rinumurimit korrekt të saj dhe transparencës së procesit.

Partia Socialiste përsërit se nuk do të njohë asnjë rezultat të deformuar zgjedhor.
"Kemi identifikuar rrugët dhe mjetet politike dhe ligjore, brenda dhe jashtë vendit për të vazhduar këtë betejë", perfundoi Gjoncaj.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›