PD: Zgjedhjet, dëshmi e pjekurisë demokratike
TIRANE - Partia Demokratike e cilësoi sot miratimin me konsensus të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, si një dëshmi e fortë e pjekurisë demokratike te institucioneve pergjegjese për administrimin e zgjedhjeve.
Në një deklaratë për mediat, PD bëri të ditur "sot se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për herë të parë në 17 vitet e fundit, me një votim 7 me 0 miratoi rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit."
"Votimi unanim nga 7 antarët e KQZ-se të propozuar nga i tërë spektri politik i vendit përbën një arritje të madhe dhe një standard të ri që nuk ka ekzistuar më parë në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri dhe ky votim është një dëshmi tjetër madhore dhe motiv i vëretetë për pranimin e rezultatit nga të gjitha forcat politike.", thuhet në këtë deklaratë.
"Z. Rama duhet të frymëzohet nga fryma konsensuale dhe e bashkëpunimit luajale ndaj ligjit, e bashkepunimit të mijëra komisionereve në qendrat e votimit dhe numërimit te votave, fryme e cila u pasqyrua sot tërësisht edhe me votimin unanim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 140 mandatet e dala nga zgjedhjet e 28 qershorit", përfundon deklarata e PD-së.