E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhje vendimtare në Rumani

A do ta vazhdojë Rumania kursin demokratik? Kjo përcaktohet në zgjedhjet e përsëritura presidenciale që zhvillohen sot. Gjykata Kushtetuese i anuloi zgjedhjet e vitit 2024.

Rumania është prej muajsh në krizë politike pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar. Sot në këtë vend anëtar të BE-së dhe të NATO-s, ka nisur përsëritja e tyre.

Në garë janë njëmbëdhjetë kandidatë dhe pothuajse, sipas të gjitha gjasave, shanset më të mira i ka George Simion, udhëheqësi 38-vjeçar i partisë nacionaliste të djathtë AUR, parti e ekstremit të djathtë. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani në nëntor të vitit të kaluar, ai u rendit i katërti dhe mbështeti më pas fituesin, radikalin e djathtë, Calin Georgescu.

Raundi i balotazhit

Megjithatë, konsiderohet si e pamundur që njëri nga njëmbëdhjetë kandidatët të arrijë menjëherë shumicën absolute. Kandidati fitues do të dalë në raundin e balotazhit që është caktuar për më 18 maj.

Sipas sondazheve, është e vështirë të parashikohet se kush mund të dalë i dyti në raundin e parë. Shanse u jepen kandidatit të koalicionit qeveritar socialdemokrat-qytetar, Crin Antonescu, kryetarit të bashkisë të Bukureshtit konservator-liberalit, Nicusor Dan, dhe ish-kryeministrit socialdemokrat, Victor Ponta.

Fituesi i zgjedhjeve të anuluara nuk mund të kandidojë më

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në nëntor 2024, doli çuditërisht i pari miku i Kremlinit, ekstremist i djathtë, Calin Georgescu. Por Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e shpalli rezultatin të pavlefshëm, për shkak të parregullsive në financimin e fushatës dhe të dyshimeve për ndërhyrje ruse. Gjykata, gjithashtu, ia ndaloi Georgeskut të kandidojë përsëri për president. Që nga fundi i shkurtit ai është nën hetim nga prokuroria.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›