Zgjedhjet/ BE: Presim që Mali i Zi të ecë në rrugën evropiane

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se blloku evropian nuk do të hyjë në debate apo kalkulime se kush do të duhet të formojë qeverinë e re në Mal të Zi pasi kjo është çështje e brendshme.
“Mali i Zi është një partner shumë i rëndësishëm dhe kandidat [për anëtarësim në BE]. Siç e ka thënë edhe përfaqësuesi i lartë [i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri], Josep Borrell, pas takimit me presidentin [e Malit të Zi, Jakov] Millatoviç, Mali i Zi është shteti më i avancuar kandidat dhe për këtë ne kemi ndjekur me vëmendje zgjedhjet”, tha Stano.
Stano vuri në dukje se BE pret që Mali i Zi të vazhdojë me përshtatjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
“Të fokusohemi në fakte e jo spekulime se çfarë mund të ndodhë. Ne llogarisim në mbajtjen e kursit dhe kjo nënkupton edhe vazhdimin e përshtatjes së plotë me politikën e jashtme të BE-së. Mali i Zi ka një histori të gjatë të përshtatjes prej 100 për qind me politikën e jashtme të BE-së. Presim që kjo të vazhdojë. E dimë se kjo ka edhe çmim sepse kështu vendi bëhet cak i sulmeve hibride dhe tentimeve për ndërhyrje nga jashtë”, tha Stano.
Zgjedhjet në Mal të Zi i ka fituar Lëvizja Evropa Tani, me 26 për qind të votave, pasuar nga partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve me 23.8 për qind të votave.
Aleanca konservatore për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus ka fituar 14.7 për qind të votave. Ndërkaq, koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe Lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave.
/rtsh.al/