Zgjedhjet, Balla – opozitës: Votoni për shtyrjen e afatit të regjistrimit të emigrantëve

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht Drejtuesi Politik për Diasporën, Taulant Balla i kërkoi sot opozitës të bashkojë votat për shtyrjen e afatit të regjistrimit të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë për të marrë pjesë në votimet e 11 majit, sikundër dhe për fondin për KQZ për të përballuar koston e postimit së fletës së votimit.
Duke replikuar në seancën e sotme të Kuvendit me kreun e PD-së, Sali Berisha, Balla tha se në vitin 2008 është bërë një reformë zgjedhore, ku është dakordësuar që në Shqipëri mund të votosh vetëm me një dokument biometrik të Republikës së Shqipërisë.
“Dhe prej vitit 2009 mund të votohet vetëm me një dokument të tillë. Kjo ka ardhur si kërkesë prej vitesh e të gjitha palëve që i referoheshin edhe raporteve të OSBE/ODIHR, sa i përket manipulimeve zgjedhore”, tha Balla.
Por, kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se nuk ka pasur vendim të Gjykatës Kushtetuese e as ligj që iu njihte të drejtën qytetarëve shqiptarë jashtë, të votojnë në zgjedhjet që mbahen në Shqipëri.
Ai e cilësoi spekulim qëndrimin e Ballës lidhur me këtë çështje. Madje, Berisha deklaroi se e kishte sjellë që në vitin 2013 ligjin që i jepte të drejtën shqiptarëve jashtë të përfshiheshin në procesin e votimit në Shqipëri. Por, tha ai, ky ligj u kundërshtua nga ish-kreu i opozitës atëherë, sot kryeministër i vendit, Edi Rama.
“Rama kërcënoi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje,” tha Berisha.
Sipas tij, tashmë vendimi i Gjykatës Kushtetuese vendosi që qytetarët jashtë vendit të votojnë. “Kemi të bëjmë me një zhvillim të ri dhe nuk ka gjë më absurde se sa të vësh në dyshim shtetësinë për qytetarët shqiptarë. Nuk ka përcaktim kushtetues. “Shtetësia garantohet me Kushtetutë dhe nuk mund të hiqet” – thotë Kushtetuta e Shqipërisë. Nëse s’keni frikë nga vota e shqiptarëve, lejojini ata të votojnë me çdo dokument biometrik që disponojnë,” deklaroi Berisha.
Balla deklaroi se në asnjë vend të botës nuk mund të votosh me dokument identiteti të një shteti tjetër.
“Jeni kundër votës së diasporës, ka vite që e dimë. Tani doni të bllokoni dy elementë thelbësorë. Ta spostojmë afatin e regjistrimit të kandidatëve, të paktën me 10 ditë, të miratojmë vendimin për përballimin e kostos së postës nga qeveria. Jepni votën për të dyja, jepini kohë KQZ të kryejë procesin në mënyrë që të pranojmë fletën e votimit deri 11 maj, ora 19:00. Keni frikë se do të humbisni, as humbja e 1997 nuk do t’ju duket aq e thellë. Jepni votat të numërojmë me përfaqësues partiakë fletët e votimit, nëse nuk keni besim te KQZ,” tha ai.
Balla njëkohësisht u solli në vëmendje të qytetarëve që jetojnë jashtë procedurat se si mund të regjistrohen pranë KQZ-së, për t’u bërë votues në zgjedhjet e 11 majit.
Balla tha se ata duhet të kenë parasysh që të vendosin të njëjtën adresë, siç e paraqesin në dokumente, si dhe nëse ata vendosin kartë identiteti të huaj, si dokument që vërteton adresën, duhet të vendosin foton e pasme të kartës, pasi aty janë të vendosura adresa, emri e mbiemri.
“Çdo qytetar shqiptar ka një kontratë qiraje, apo furnizimi me energji, ujë apo internet. Mjafton të jetë emri juaj dhe adresa. KQZ ka bërë punë të shkëlqyer dhe ka lehtësuar dhe mundësinë e regjistrimit të pjesës tjetër të familjes, mjafton të bashkëngjisë certifikatën familjare, dokument që mund të shkarkohet nga e-Albania,” theksoi Balla.
/r.e/af/