Zgjedhjet, Fyle përsëri në Shkup

Komisionari për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle pritet që, një ditë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbërrijë për një vizitë zyrtare në Shkup.
Fyle pritet të mbërrijë më 9 prill dhe të ketë një agjendë të ngjeshur lidhur me zgjedhjet dhe procesin politik në vend, raporton INA.
Sipas zyrtarëve të lartë të kabinetit për zgjerim, Fyle pritet të vizitojë Maqedoninë lidhur me raundin e katër të dialogut paraprak.
“Qëllimi kryesor i vizitës së komisionarit është që të mbahet mbledhja e katërt e dialogut inkuadrues të nivelit të lartë dhe të shikohet progresi i arritur, para publikimit të raportit pranveror. Ai gjithsesi do të shfrytëzoj rastin të diskutoj edhe për çështje të ndryshme, duke përfshirë edhe zhvillimet më të reja politike,” deklaroi zëdhënësi i Fyles, Peter Stano.
Gjatë kësaj vizite file do të shoqërohet nga Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino.
File do të realizoj takime me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Greuvski, liderin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski si dhe me zëvendëskryeministrin për eurointegrime Fatmir Besimi.
Komisioni Evropian më 16 prill do të publikojë raportin për Maqedoninë, lidhur me vlerësimin e reformave, dialogut politik, implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, standardeve zgjedhore dhe procesit eurointegrues./Indeksonline/