Zgjedhjet, Reeker: Më të mirat pas kumunizmit, përdorini për integrimin
Bruksel- Zëvendës ndihmës sekretar i shtetit amerikan për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker në një takim me korrespondentët e Ballkanit në Bruksel, ka dhënë edhe një herë një mesazh të qartë për Shqipërinë, ku sipas tij, Shqipëria duhet të ecë përpara në integrimin europian, duke shfrytëzuar mundësitë që i ofrohet pas zhvillimit të zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat ai i ka quajtur më të mirat që pas fundit të komunizmit.
Kishte një pjesëmarrje të madhe të votuesve, një vendim shumë të qartë të votimit dhe një proçes shumë të mirë zgjedhor. Mund të them që është proçesi më i mirë zgjedhor që prej fundit të epokës së komunizmit. Ne kemi parë qëndrime shumë pozitive prej kryeministrit Berisha gjatë fjalimit të tij, i cili e mbajti nivelin e retorikës të lartë edhe pas një humbjeje të hidhur, por dhe nga kryeministri I ardhshëm Edi Rama. Është shumë e rëndësishme që koalicioni i ri qeveritar që do marrë funksionet në shtator të shohë përpara. Pata rastin që të flas me këtë me zotin Rama gjatë evenimentit të Zagrebit.
Është gjithnjë shumë interesante që të diskutohet për skenare të ndryshme me nëse, sikur. Ne mund të diskutojmë shumë në qoftë se. Por me zhvillimin e një proçesi shumë të mirë dhe pozitiv zgjedhor këtë rradhë në Shqipëri, kemi një oportunitet që duhet të përdoret në drejtimin e duhur, veçanërisht për ta rifutur vendin në shinat e proçesit të anëtarësimit në BE. Është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe vitin e kaluar nga kolegët tanë të BE-së, ambasada amerikane në Shqipëri, duke përfshirë edhe përpjekjet në Uashington, në mënyrë që Shqipëria të fitonte statusin e kandidatit. Kishte kritere shumë të qarta për tu plotësuar nga Shqipëria. Dhe ne ishim të gjithë të zhgënjyer që vëmendja u përqëndrua te zgjedhjet dhe politika në Shqipëri. Por tani që zgjedhjet i lamë pas, mendoj se liderët do të fokusohen te tranzicioni i ri, të shohin rekomandimet e ODHIR për përmirësimet që nevojiten të bëhen dhe të vazhdojnë me të njëjtat tone që janë përdour nga zoti Rama dhe kryeministri Berisha pas zgjedhjeve. Politikanët duhet të kuptojnë mesazhin e popullit shqiptar që thotë: Ne duam më pak politike dhe më shumë progress. Kjo është ajo që SHBA-të, ambasada jonë dhe Komuniteti Ndërkombëtar përpiqen të bëjnë në Shqipëri,- tha ai.