E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, përplaset një maunedhe një furgon, 4 të vdekur

Të tjera rreth shkrimit /VIDEO FOTO ekskluzive nga përplasja fatkeqe në Xibrakë ELBASAN - LIBRAZHD - Aksident tragjik rrugor me 4 viktima regjistrohet sot pasdite në aksin Elbasan-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Xibrakë.

Shkak ka qenë përplasja e një mauneje me një furgon pasagjerësh dhe prej kësaj përplasjeje fatale, përveç 4 të vdekurve, ka edhe 3 të plagosur, siç raportohet nga gazetarët e "A1 Report" paraprakisht nga vendngjarja dhe konfirmimeve në vijimësi nga policia e Elbasanit, e pranishme aty. Por në aksident është përfshirë dhe një makinë e tretë BMW, tek e cila fatmirësisht nuk ka viktima apo të plagosur.

Viktimat gjendeshin në furgon, janë dy burra dhe dy gra, ende të paidentifikuar. Këto të fundit, dy gratë, bëhet me dije se nuk kishin me vete mjet identifikimi. Për shkak të përplasjes së fortë, trupat e tyre është bërë e mundur të nxirren nga furgoni afërsisht një orë pas aksidentit me ndërhyrjen e zjarrfikëseve. Ndërkohë, dy trupat e tjerë janë dërguar direkt në morgun e Elbasanit, pasi kanë pësuar vdekje të menjëhershme.

Një nga të plagosurit në gjendje të rëndë mësohet se është shoferi i furgonit, i cili quhet Eduart Haskurti. Së fundi mësohet se ky është nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, pasi gjendja e tij është përkeqësuar. Ndërkohë, shoferi i maunes është shoqëruar në komisariatin e policisë, Elbasan.

Furgoni me pasagjerë mbante targën LB 001 A, ndërsa maunia targën KO 10 28 A. Si shkak i aksidentit nga ekspertët e policisë mendohet se është parakalimi i gabuar i furgonit. Nuk përjashtohet edhe pista e lagështirës në rrugë si pasojë e motit të keq këto ditë, edhe sot pasdite. Ndërkohë në vendngjarje është krijuar edhe trafik për shkak të aksidentit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›