E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet/ Veliaj: Të dielën marrim një fitore siç i ka hije Rrogozhinës

Pak ditë para zgjedhjeve vendore në Rrogozhinë, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me Asamblenë e PS-së atje, ku u shpreh optimist për fitoren e kandidatit të PS-së, Edison Memolla.

Veliaj tha se në këto zgjedhje, votuesit e Rrogozhinës duhet të vlerësojnë kandidatin që i shërben zhvillimit të Bashkisë.

“Në këtë fushatë kam vënë re se skuadra jonë shumë ka besim, është e vendosur dhe pavarësisht se ka një kundërshtar, i cili mund të ketë më shumë para, që mund të tallet duke thënë se ‘unë, ata të Rrogozhinës i bëj si keca’, që mund të ketë në mbështetje drejtorët, deputetët dhe kryeministrat e rënë prej vaktit, fushata jonë ka besim, ka energji pozitive, ka organizim dhe dispilinë, e sigurisht të dielën do të marrë një fitore siç i ka hije Rrogozhinës, Edisonit dhe Partisë Socialiste”, tha Veliaj.

Veliaj fton të gjithë të bëhen bashkë, për të treguar edhe njëherë se Partinë Socialiste dhe ata që i besojnë, nuk ndalen as nga tërmeti, as nga pandemia e as nga temperaturat e larta.

Më 23 korrik në Rrogozhinë do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore, pasi Kolegji Zgjedhor pranoi kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve te 14 majit për këtë Bashki.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›