E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit- Rama mbledh kryesinë e PS, Blendi Klosi emërohet drejtuesi i ri politik në Dibër

Kryeministri Edi Rama mblodhi ditën e sotme kryesinë e Partisë Socialiste në selinë rozë për të diskutuar për zgjedhjet e ardhshme të 11 majit 2025. Gjatë takimit, u vendos emërimi i Blendi Klosit si drejtues i ri politik në qarkun e Dibrës dhe Pirro Vëngun si bashkëdrejtues në Vlorë.

Në mbledhje kanë raportuar drejtuesit politikë të qarqeve, ndërsa u është dhënë një afat 3 javorë që të identifikojnë dhe të përpilojnë database-n e votuesve të diasporës në varësi të qarqeve që ata mbulojnë.   

Ky emërim vjen pas lëvizjes së Blendi Gonxhe në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku do të bashkohet me drejtuesit e tjerë politikë si Erion Veliaj, Ogerta Manastirliu, dhe Elisa Spiropali, për të vijuar punën me angazhimin e strukturave të partisë në kryeqytet në qarkun e Tiranës, i cili nxjerr në total 37 mandate deputetësh.

Gjatë mbledhjes, Kryeministri Rama theksoi nevojën për mobilizim të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë mes strukturave për të siguruar një rezultat të suksesshëm në zgjedhjet e vitit që vjen. Ai dha mesazhe të forta për të gjithë drejtuesit politikë: mobilizim, angazhim dhe përkushtim në çdo hap të këtij procesi.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen më 11 maj 2025.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›