E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit, Blushi: Do të evidentojmë dhe denoncojmë çdo shkelje

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzon mazhorancën socialiste për vjedhje të votave në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 11 maj.

Në një dalje për mediat, ai i konsideroi zgjedhjet si një “farsë”, teksa shtoi se Partia e Lirisë do të denoncojë çdo shkelje e abuzim.

“Partia e Lirisë rithekson vendosmërinë për të vijuar betejën politike, institucionale dhe qytetare për mbrojtjen e votës së lirë. Ne jemi dhe do të mbetemi në krah të çdo qytetari që kërkon drejtësi, barazi dhe mundësinë për të vendosur vetë për të ardhmen e tij, përmes një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të besueshëm. Ne nuk do të ndalemi përballë asnjë shantazhi, presioni apo manipulimi. Do të evidentojmë dhe denoncojmë çdo shkelje, çdo abuzim, çdo tentativë për të kthyer zgjedhjet në formalitet dhe në falsitet. Mbrojtja e votës së lirë nuk është thjesht një qëllim politik, por një mision kombëtar për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë funksionale, të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit për të gjithë”, tha Blushi.

Partia e Lirisë garoi si pjesë e koalicionit PD-ASHM në zgjedhjet e 11 majit, ku në total, koalicioni mori 50 mandate. Nga Partia e Lirisë morën mandat deputeti Erisa Xhixho dhe Tedi Blushi, të cilët kandiduan në listë të mbyllur në Tiranë, Edmond Haxhinasto i cili garoi në listë të mbyllur Elbasan dhe Brunila Haxhija e cila kandidoi po në listë të mbyllur në Fier.

Kreu i kësaj partie, Ilir Meta, i cili kandidoi në listë të hapur në Tiranë, nuk mundi të merrte mjaftueshëm vota, duke mbetur kështu jashtë Parlamentit. Kujtojmë se Meta ndodhet në arrest me burg, pasi u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar, nën dyshimet për disa vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›