E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit, KQZ trajnim për raportimin e veprimtarive të institucioneve publike

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme të datës 11 maj 2025, zhvilloi në datat 13 dhe 14 janar trajnimin me temë: “Raportimi i Institucioneve Publike në Ndërfaqen e Raportimit të Institucioneve (NRI) dhe veprimtaritë publike të ndaluara”.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thekson se “qëllimi i këtij trajnimi ishte qartësimi i procedurës së raportimit nga institucionet publike të veprimtarive të tyre në Ndërfaqen e Raportimit të Institucioneve, gjatë periudhës 4 muaj përpara datës së zgjedhjeve, deri në ditën e zgjedhjeve, si dhe adresimi i të gjitha shqetësimeve apo problematikave të hasura deri më tani”.

Në këtë trajnim morën pjesë rreth 100 pjesëmarrës përfaqësues të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore.

“Pjesëmarrësit në këtë trajnim patën mundësi të adresonin çdo problematikë, pyetje apo paqartësi stafit të KQZ, të cilët u angazhuan për të lehtësuar aksesimin në NRI, eliminimin e informacionit të paplotë apo problematikat teknike të dëshmuara, me synim eliminimin e vështirësive që kanë hasur personat përgjegjës për raportimet për përdorimin teknik të tij dhe për të lehtësuar aksesin e institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, në raportimin e veprimtarive publike”, bën të ditur Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Në këtë trajnim dyditor u analizua ecuria e deritanishme e hapjes së llogarive në NRI dhe çdo paqartësi e hasur gjatë etapave të raportimit në ndërfaqe.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›