Zgjedhjet e 11 majit, Koçi: Nuk do të jem në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi konfirmoi sot se nuk do të jetë në listën përfaqësuese të kandidatëve për deputetë të PS-së në zgjedhjet e 11 majit.
Në një reagim në rrjetet sociale, duke iu drejtuar drejtueses politike të Tiranës, Ogerta Manastirliu, Koçi u shpreh se e ka detyrim moral, politik dhe shoqëror që të bëjë të ditur përcaktimin e qëndrimit të tij në lidhje me procesin e emërimit të kandidaturave të PS-së për deputetë.
Koçi siguroi se “do të punojë me sa i ha krahu dhe kudo i shpien këmbët për fitoren e PS-së në zgjedhjet e 11 majit”.
“Fatmirësisht eci dhe ngjis shkallët më shpejt dhe pa mu marrë fryma në krahasim me dhjetëra të tjerë që janë në moshë më të re politike apo biologjike. Unë nuk do të jem në listën përfaqësuese të kandidaturave për deputetë, jo për ndonjë paburrëri politike, frikë dështimi personal apo braktisje të shpirtit të solidaritetit, por sepse ndryshe nga të gjithë ju jam i vetmi që nuk kam shansin e startit në kushte të barabarta sepse nuk kam në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale”, shkruan Koçi në rrjetet sociale.
Koçi theksoi se “pas një fushate jo tregtare në zgjedhjet e fundit vendore në kryeqytet bashkë me strukturën organizative të zonës e nxorëm Kombinatin të parin, me një rezultat që e çoi stekën elektorale në 60% për PS-në”.
“Caktimi i Blendi Gonxhes si përgjegjës politik në zonë ishte një zgjedhje e mençur dhe e qëlluar sepse problemet madhore të Kombinatit si pasojat e tërmetit, procesi i rindërtimit apo impakti i projekteve madhore të unazës apo të Lanës kërkonin një fuqi ekzekutive të dedikuar dhe kompetente për t’ua koordinuar zgjidhjet. Unë e vlerësoj shumë punën e tij elektorale dhe besoj se Kombinati do jetë sërish i pari në garën zgjedhore”, theksoi ai.
Megjithatë, Koçi shprehet se “ky ndryshim në përgjegjësinë drejtuese solli një spostim jotransparent dhe mospërcaktim të qartë të funksionit të tij në zonë”.
“U ndërpre si me thikë përfshirja ime në aktivitetin organizativ të partisë duke mos u lajmëruar kurrë për kalendarin e përditshëm të mbledhjeve dhe takimeve, përjashto rastet kur ky kalendar varej nga selia qendrore dhe lajmërimet mbërrinin nëpërmjet rrjetit në grupin Whatsapp të deputetëve. Nuk di nëse kjo situatë ishte e orientuar apo ishte pasojë e ndonjë intrige shpirtvogël. Megjithatë e fal çdokënd që me apo pa dashje ka gisht në këtë mëkat, i cili mbetet i parëndësishëm për interesa përtej meje”, tha ai.
Koçi u shpreh se i mbetet mirënjohës Edi Ramës për ripërfshirjen e tij në përgjegjësi të larta politike.
“Kjo mund të mos ndodhte pa tolerancën e tij pas përplasjeve të vitit 2008, një përfshirje që filloi me mirëpritjen në mitingjet kundër pushtetit të Berishës pas zgjedhjeve të 2009-ës dhe vazhdoi me bashkëpunimin e ngushtë në luftën kundër korrupsionit në protestën e 21 Janarit 2011, me zgjedhjet e vjedhura të Tiranës të atij viti, zgjedhjet e 2013-ës e pastaj kulmoi me detyrat e larta të besuara të zëvendësministrit të Mbrojtjes e të deputetit në zgjedhjet e 2021. Uroj që këtë besim ta kem shlyer në lartësinë e duhur. Jua them këto për të dëshmuar se nuk jam nga ata që mendojnë se PS u ka borxhe. Përkundrazi”, u shpreh Koçi.
Koçi i bëri thirrje çdo kolegu, deputet ose jo, që ka probleme hetimore serioze me SPAK të mos kandidojë në këto zgjedhje.
“Kam besim se do person të cilit do i ndërpritet procesi hetimor apo do të mund të marrë pafajësinë më vonë, PS do i japë meritat e duhura në vijim. Këto zgjedhje janë me rëndësi historike kombëtare sidomos në 2 aspekte ku më i rëndësishmi është integrimi europian i cili do të ndërpritej dhe do të shtyhej nëse Koalicioni i Krimit Madhështor do kishte shansin të fitonte zgjedhjet dhe po aq i rëndësishëm është fati i Reformës në Drejtësi. Edhe se po e paguajmë me lëkurën tonë drejtësia e re ka garante vetëm PS-në tonë. E theksoj këtë që të vëmendësojmë drejtuesit e fushatës të respektojnë verbërisht ligjin në mënyrë që të mos japim asnjë shans gojëve të madhështorëve të krimeve madhore të tranzicionit politik”, u shpreh Koçi. /m.m/j.p/