Zgjedhjet e 23 qershorit, misioni i OSBE/ODIHR-it nis sot takimet
Ekipi i vëzhguesve afatgjatë i kryesuar nga ekspertja amerikane Conny McCormak nis sot zyrtarisht misionin në Tiranë për t`u njohur nga afër me përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 qershorit.
Në orën 10:00, misioni i OSBE/ODIHR-it do të takohet me ministrin e jashtëm Aldo Bumçi ndërsa në orën 15:00 do të kenë edhe komunikimin e parë me mediat.
Ekipi monitorues fillimisht do të vëzhgojë fushatën elektorale, përfshi analizimin e listave të përpiluara për zgjedhjet si edhe zbatimin e legjislacionit dhe monitorimin e medias.
Ndërkohë që ekipi i ODIHR-it kryesohet nga zonja McCormack e cila njihet për angazhimin mbi 25-vjeçar dhe ka spikatur në çështjen e regjistrimit dhe verifikimin e votuesve, përfaqësuesi i ekipit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, është parlamentari slloven Roberto Battelli.
Ekipi i vëzhguesve të ODIHR-it dhe asambalesë parlamentare të OSBE-së përbëhet nga 15 ekspertë të cilët vijnë nga 14 shtete anëtare të OSBE-së, me seli në Tiranë, si dhe 30 vëzhgues afatgjatë, të shpërndarë në të gjitha rajonet. Ditën e zgjedhjeve ODIHR do të jetë në terren me mbi 430 vëzhgues.