Zgjedhjet e 23 qershorit, sot sondazhi i dytë i IPR Marketing dhe Ora News
Ku ethet e garës elektorale midis partive politike po bëhen gjithnjë e më të forta, e ku retorika politike është ashpërsuar në maksimum nevojë për të ditur se ku anon peshorja e fitores bëhet gjithnjë e më e madhe.
Sonte në mbrëmje në emisionin Tonight Ilva Tare në Televizionin Ora News vjen sondazhi i dytë për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit të realizuar nga kompania e njohur evropiane e sondimit IPR Marketing.
Në sondazhin e parë të mbajtur në 2 maj koalicioni Aleanca për Shqipërinë Evropiane, kryesonte me 46 përqind e ndërsa Aleanca për punësim integrim dhe mirëqënie ishte në kuotën e 44 përqind.
Sa i përket partive 37 % e të 1000 të intervistuarve në 12 qarqet e Shqipërisë shpreheshin në favorë të Partisë Demokratike dhe Partia Socialiste gëzonte mbështetjen e 36 përqind të të pyeturve.
Interes të vecçantë përbënin edhe pyetësorët e tjerë të sondazhit ku pyetjes se pavarësisht nga preferencat tuaja kush do ti fitojë zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, 45.6 përqind u përgjigjën koalicioni i majtë dhe 28.9 % mendonin se fitonte koalicioni i djathtë.
Pyetjes së drejtuar të 1000 të intervistuarve se si e vlerësoni punë e qeverisë deri në tani, në fushën e politikave ekonomike 48.2% deklarohen negativisht dhe 33,9 % pozitivisht.
Punën e opozitë të udhëhequr ng Edi Rama 37,2 përqind e konsideronin negativisht dhe 31,5 përqind e cilësoni pozitive.
E ndërsa pyetjes se cilat janë tre problemet urgjente për tu përballur sot në Shqipëri, 65.5 përqind e tyre shprehen Papunësia, 33.3 Korrupsioni dhe 24,6 përqind zhvillimi ekonomik.
Përveç analistëve te ftuar në studio drejtori i IPR Marketing Antonio Noto do të jetë gjithashtu i pranishëm ne studion e Ora News për t’ju përgjigjur të gjitha pyetjeve që lidhen me mënyrën se si është zhvilluar sondazhi dhe do të interpretojë rezultatet e tij.
Përveçse sondazhit kombëtar drejtori i IPR Marketing Antonio Noto do të shpallë drejtpërsëdrejti edhe sondazhin për qarkun e Tiranës që ka 32 deputete gjithsej dhe që në 2009 ka dalë barazim midis PD dhe PS 16 me 16.
Përpara zgjedhjeve të 23 Qershorit do të ketë edhe dy sondazhe të tjera që Ora News do të publikojë në rang kombëtar dhe në qarqe të veçanta. Gjithashtu ditën e votimit në 23 qershor do të ketë 4 exi poll-e rajonale dhe një exit-poll kombëtar.
IPR Marketing është nje kompani serioze sondazhesh me reputacion të padiskutueshëm dhe që ka marrë vlerësime nga analistët vendas dhe ndërkombëtare. Kjo është hera e dytë që Ora News dhe IPR Marketing bashkëpunojnë me njëra-tjetrën pas zgjedhjeve të 2009, ku kjo kompani ishte e vetmja që i shkoi më pranë rezultatit zyrtar të zgjedhjeve.
Kush do ti qeverisë shqiptarët në 4 vitet e ardhshme, koalicioni i djathë apo ai I majtë? Këtë u’a thonë sondazhet në Ora News.