Zgjedhjet e 28 qershorit, BE nuk njeh ende fitues
TIRANË- Bashkimi Europian ende nuk njeh fitues për vendin tonë, deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri pranë Bashkimit Evropian, Havier Solana, ka deklaruar dje se nga Prishtina nuk mund ta vizitojë Tiranën, për sa kohë që Shqipëria ende nuk ka përmbyllur
procesin zgjedhor, për shkak të mosshpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. "Zgjedhjet u mbajtën jo shumë kohë më parë dhe nuk është kohë e mirë të shkoj atje, por kjo nuk do të thotë që Tirana është jashtë mendjes sime. Por mendoj se duhet t'u japim kohë njerëzve ta finalizojnë procesin zgjedhor. Nuk do të doja të komentoj tani. Më lejoni ta bëj këtë më vonë, kur t'i kem të gjitha detajet. Fakti që nuk mund të komentoj sot, është një koment", - tha Havier Solana. Ai i është përgjigjur interesimit të medias edhe për lënien e Shqipërisë jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Sipas tij, ky proces përjashtues për Shqipërinë këtë vit, ka të bëjë me mospërmbushjen e kritereve. "Ky është një proces që është tërësisht teknik dhe jo politik. Kur shteti ka kapacitet për të pasur kontroll në kufi, kapacitetin për të prodhuar pasaportën me të gjitha kushtet e kërkuara, ai shtet hyn në atë listë. Kjo është ajo që do të vazhdojë të ndodhë. Shtetet që kanë përmbushur kriteret do të marrin lejen brenda dy ditëve, të tjerat duhet të presin derisa t'i përmbushin kërkesat. Nuk është proces që ndalet, por është proces, që u përshtatet shteteve kandidate dhe shtetet kandidate duhet t'i përmbushin kërkesat e natyrës teknike",- tha ai. Deri më tani, nga shtetet kandidate, vetëm Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë përfituar në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina duhet ta presin rastin për vitin e ardhshëm, gjithnjë nëse i përmbushin kriteret e kërkuara.