Komuna Kastrat- Prokurorisë: Zbardhni vrasjen e Aleksandër Kekës
SHKODËR - Këshilli komunal i Kastratit do ti bëjë shkresë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme për zbardhjen e vrasjes së anëtarit të ndjerë të këtij këshilli, Aleksandër Keka. Një muaj pas vdekjes së tij, nuk ka asnjë pistë zyrtare të hetimeve dhe në këto kushte këshilli i komunës kërkon zbardhjen sa më parë të vrasjes dhe ndëshkim të autorëve.
Vendimi u mor sot nga këshilli i komunës Kastrat të rrethit Malësi e Madhe, i cili njëherësh ishte edhe kryetar i PDK për Malësinë e Madhe. Anëtarët e këshillit komunal kanë shprehur indinjatën e tyre për deklaratën e bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për viktimën Kekaj dhe kanë kërkuar që institucionet e shtetit të zbardhin me urgjencë këtë ngjarje. Ndërkohë, kryetari i komunës, Gjovalin Vneshti ka kërkuar që Policia e Shtetit ti kërkojë falje publike familjes së të ndjerit për akuzat e ngritura ndaj tij në deklaratën e dhënë pas vrasjes. Ndërsa këshilltari Luigj Keçaj ka propozuar që kërkesa e tyre ndaj prokurorisë të bëhet zyrtare, në emër të këshillit të komunës dhe ngjarja të zbardhet duke vënë para drejtësisë autorët.
Aleksandër Keka mbeti i vrarë në një atentat me lëndë plasëse një javë para zgjedhjeve në rrugën Bushat-Shkodër. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, tha se vrasja e tij ka qenë politike.