E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e parakohshme, pritet kthimi i Gruevskit nga SHBA-ja

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, do të qartësohet pas vizitës së kryeministrit Nikolla Gruevski në Uashington, bëjnë të ditur burime qeveritare për agjencinë e lajmeve INA. Kryeministri Gruevski më 16 shkurt do të udhëtojë për një vizitë zyrtare në SHBA, me ftesë të zv/presidentit Joseph Biden dhe sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton. “Është e sigurt se kryeministri do të kërkojë përkrahje në Uashington për mbajtjen e zgjedhjeve, pas së cilave ai garanton se do të mbyllë një herë e mirë çështjen e emrit. Dhe nëse ato do të mbahen atëherë, intervali kohor do të jetë nga muaji prill deri në muajin qershor, por në këtë rast shqyrtohet mundësia që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për afat tjetër, për të mos shkaktuar tensione”, deklaroi zyrtari i lartë i qeverisë për agjensinë e lajmeve INA. Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman gjatë vizitës së tij në Maqedoni, deklaroi se kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në këtë vend është çështje e brendshme e autoriteteve politike të këtij vendi. Të gjitha forcat politike në Maqedoni janë dakort për mbajtjen e zgjedhjeve. Partia e maxhorancës VMRO-DPMNE bëri të ditur të enjten se së shpejti do të deklarohen lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›