Zgjedhjet e parakoshme në Greqi në fund të prillit

Grekët e goditur rëndë nga kriza e borxheve do të votojnë në fund të prillit për zgjedhjen e parakohshme të një parlamenti të ri. Kështu sqaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave Evangles Venizelos gjatë një takimi të partisë së tij socialiste PASOK. Kështu shtyhet afati për mbajtjen e zgjedhjeve për shkak se pas formimit të qeverisë së kryeministrit Lukas Papademos ishte rënë dakord që zgjedhjet e parakohshme të zhvilloheshin më 19 shkurt 2012.
Detyra kryesore e qeverisë së përkohshme është negociimi i detajeve të paketës së ndihmave të BE-së dhe FMN-së të miratuar në tetor dhe kalimi i saj për miratim në parlament. “Zgjedhjet do të mbahen pas Pashkëve, në fund të prillit", tha ministri duke e cilësuar "tragjike", situatën në vend.
Ndërkaq “Demokracia e re” e Antonis Samaras dërgon mesazhin se zgjedhjet duhet të bëhen sa më shpejt të jetë e mundur dhe në cdo rast para festës së Pashkëve. Pak javë më parë, Ministri grek i Financave Venizelos, shpjegoi se data e zgjedhjeve varej nga sa shpejt do të përmbusheshin angazhimet për një sërë çështjesh, që ndikojnë në marrëdhëniet e vendit me kreditorët.