E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme lokale, përfundon procesi i votimit në 5 bashki

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan sot në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë ka përfunduar në orën 18:00, ndërsa pas kësaj ore sopas Komisionerit Shtetëror të zgjedhjeve do të lejohen të votojnë vetëm zgjedhësit e evidnetuar nga komisioni i qendrës së votimit.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja e përgjithshme në nivel vendi deri në orën 17:00 ishte 17.89%.

Procesi i votimit është zhvilluar përgjithësisht i qetë, ndërsa numërimi i votave pritet të nisë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Në Bashkinë Vlorë, deri në orën 17:00 kanë votuar 16,828 qytetarë nga 140,815 zgjedhës të regjistruar në 188 nga 231 qendra të raportuara, duke shënuar një pjesëmarrje prej 11.95%.

Në Bashkinë Berat, deri në orën 17:00, në 91 nga 116 qendra të raportuara, kanë ushtruar të drejtën e votës 12,455 zgjedhës, që përbën 18.94% të votuesve në listë.

Në Bashkinë Cërrik, procesi ka vijuar me 7,986 votues nga 32,686 zgjedhës, ose 24.43% e pjesëmarrjes, në 48 nga 57 qendra të raportuara.

Në Bashkinë Mat, interesimi i qytetarëve ka qenë më i lartë, me 8,146 votues nga 21,004 zgjedhës deri në orën 17:00, që përfaqësojnë 38.78% të pjesëmarrjes në 33 nga 47 qendra të raportuara.

Ndërsa në Bashkinë Tepelenë, deri në orën 17:00 kanë votuar 2,420 zgjedhës nga 7,184 të regjistruar në listë, në 13 nga 21 qendra të raportuara.

Pas përfundimit të procesit të votimit, pritet që materialet zgjedhore të dërgohen në KZAZ-të dhe  komisionet e numërimit të nisin punën, ndërsa rezultatet paraprake do të publikohen gjatë orëve në vijim.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›