Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki, 2.42% pjesëmarrja në votim. Celibashi: AI pjesë e procesit të numërimit të fletëve të votimit në Tepelenë

2.42% është deri në këto momente pjesëmarrja totale e votuesve në 5 bashkitë ku po mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një konferencë për media bëri me dije se në Bashkinë e Vlorës pjesëmarrja është 1.49%; në Bashkinë e Beratit 2.57%; në Bashkinë e Cërrikut 3.36%; në Bashkinë e Matit 6% dhe në Bashkinë e Tepelenës 4.73%.
Celibashi theksoi se procedura e votimit ka nisur normalisht, ndërsa shtoi se nuk janë raportuar problematika deri në këto momente.
Kreu i KQZ shtoi gjithashtu se nuk ka pasur probleme as me pajisjen PEI.
“Përgjithësisht procesi ka nisur normalisht. QV në masën 81% të tyre janë hapur në 07:00 vetëm 19% e QV janë hapur mes orës 07:00-08:00 të mëngjesit.
Sa i përket komisioneve të QV 34% e tyre janë të përbërë me 7 anëtarë, 18% me 6 anëtarë, 29% me 5 anëtarë dhe 19% me 4 anëtarë. Vetëm në 3 QV në hapje të tyre kishte mungesë të kuorumit pra kishin 3 anëtarë por në komunikimet që kemi patur me partitë politike edhe në ato 3 QV u mundësua kuorumi i plotë. Deri në momentin që po flasim nuk janë raportuar problematika. Nuk kemi asnjë problem të raportuar në lidhje me përdorimin e pajisjeve elektronike të identifikimit të zgjedhësve. Janë 100% e QV meoperatorë.
Identifikimi po kryhet në 100% të QV përmes këtyre pajisjeve. Për shkak të mungesës së mbulimit me rrjet të telefonisë mobile, nuk kemi transmetim në kohë reale nga 18 QV por ndërkohë në mënyrë alternativë po marrim informacion dhe në këto QV. Ajo çfarë vlen të theksohet është që s’kemi pasur problem me pajisjen PEI.
Sa i përket pjesëmarrjes, deri në momentin që po flasim, është 2.42% pjesëmarrja në total në gjithë bashkitë: 1.49% në Vlorë; 2.57% në Berat; 3.36% në Cërrik; 6% në Mat; 4.73% në Tepelenë”, deklaroi Celibashi.
Ky i fundit theksoi se procesi i numërimit do të transmetohet në kohë reale për shkak të numrit të vogël të KZAZ.
“Do aplikojmë numërimin e fletëve të votimit edhe me AI dhe ky informacion do jetë publik në kohë reale”, tha Celibashi.
/rtsh.al/