E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme në Cërrik, voton kandidati Eligert Hima: I vetmi mjet që kemi për të vënë bashkinë në punë është vota

Kandidati i propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, Eligert Hima ka votuar sot për zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë së Cërrikut.

Pasi ka hedhur votën e tij në kutinë e votimit, Hima u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj bashkie, që të votojnë, pasi sikurse tha ai para mediave, e vetmja mënyrë përtë vënë në punë bashkinë e këtij qyteti, është pikërisht vota e qytetarëve.

“Banorët e bashkisë së Cërrikut të marrin pjesë masivisht sot në kutitë e votimit sepse e vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet që kemi për të vënë bashkinë e Cërrikut në punë është vetëm vota. I ftoj masivisht të votojnë.”, tha ai.

Në Cërrik, kandidati Eligert Hima, i propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, garon përballë kandidatit socialist Florenc Doka, dhe kandidatit Amarildo Hoxha i mbështetur nga Partia Demokratike dhe aleatët. Numri i qytetarëve me të drejtë vote është rreth 39 mijë në Cërrik.

Rreth 334 mijë qytetarë pritet t’i drejtohen 472 qendrave të votimit deri në orën 18:00, për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj të Matit, Tepelenës, Vlorës, Beratit dhe Cërrikut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›