Zgjedhjet e pjesshme në bashkinë Himarë, miratohet vendndodhja e QV 4589/00

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shqyrtoi sot në seancë publike projektvendimin “Për dhënie autorizimi për ndërrimin e vendndodhjes së qendrës së votimit nr. 4589/00, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024”.
Pas verifikimeve të bëra nga Administrata e KQZ-së për objektin e propozuar për QV, Komisioneri vendosi dhënien e autorizimit për ndërrimin e vendndodhjes së QV nr. 4589/00 nga shkolla 9-vjeçare “Nikolla Pano Meniko”, Spile, Rr. Xhorxh Tened, nr. 4 në ambientin privat në pronësi të shtetasit Odhise Milo me adresë Himarë, Lagjia 1 Maji, Rr. Milto Kallushi.
Po ashtu, KQZ njoftoi sot se, ka përgatitur materialet zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, të planifikuara për tu zhvilluar më 4 Gusht 2024. Sipas KQZ, këto materiale do të shpërndahen në 36 qendra votimi dhe përfshijnë: Fletët e votimit, Dokumentacionin zgjedhor për përdorim nga Komisionet e Qendrave të Votimit, Pajisjet Elektronike të Identifikimit (PEI), Kamerat monitoruese për qendrat e votimit, Kamerat regjistruese/monitoruese të VNV.
Materialet zgjedhore, sipas KQZ, do të dërgohen fillimisht në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nr. 88 në Bashkinë Himarë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme. Pas kësaj, do të vijojë shpërndarja e materialeve në qendrat e votimit. KQZ ka publikuar dhe fletën e votimit, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë./a.f/
Zgjedhjet në Himarë, KQZ përgatit materialet zgjedhore 1 nga 6