E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale/ Veliaj hedh votën: Qytetarët e dekurajuar nga problemet me identifikimin elektronik të rikthehen për të votuar

Nga Parku Olimpik, ku hodhi votën e tij për zgjedhjen e kryebashkiakut të ardhshëm të Tiranës dhe anëtarët e këshillit bashkiak, kandidati socialist, njëherazi edhe kryebashkiaku aktual Erion Veliaj, i bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Thirrja e Veliajt i adresohej më së shumti qytetarëve të cilët nuk kanë mundur të votojnë në mëngjes për shkak të problematikave me pajisjet e identifikimit elektronik, duke i kërkuar atyre që të rikthehen për të shprehur vullnetin e tyre me votë.

“Ka patur disa problematika me identifikimin elektronik, ndaj ftesa për qytetarët që mund të jenë dekurajuar është të rikthehen në qendrat e votimit. Është shumë e rëndësishme që të votojmë për të ardhmen, janë fatet e qytetit për 4 vitet e ardhshme, është shumë e rëndësishme që secili të dëgjohet dhe vendimmarrja më pas të na udhëheqë. Urojmë që procesi të vazhdojë me qetësi dhe të dalim faqebardhe. Problemet me identifikimin elektronik pati një efekt, por aparaturat dhe teknologjia nuk janë asnjëherë perfekte. Tani është zhbllokuar çdo ngërç që kemi pasur dhe të rikuperojmë atë ngërçin e mëngjesit”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›