Zgjedhjet lokale në Kosovë, Jahjaga: KQZ të gjejë zgjidhje të qëndrueshme
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një deklarate ka inkurajuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që në përputhje me mandatin e tij, të gjejë një zgjidhje ligjore që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit.
“Këto zgjedhje komunale kanë një rëndësi të veçantë sepse organizohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht. Pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb në komunat veriore të vendit, në zgjedhjet e 3 nëntorit ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e tyre dhe proceset demokratike të Kosovës”, ka theksuar presidentja, në një njoftim për mediat.
Ajo gjithashtu ka theksuar se këto zgjedhje duhet të jenë demokratike, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, duke i bërë apel KQZ-së që të gjejë një zgjidhje, të cilat do të jenë të përshtatshme për të gjithë qytetarët, që do të sigurojë pjesëmarrjen masive në zgjedhje.