Zgjedhjet, mazhoranca humbet bashkitë kryesore, por fiton votën popullore
Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka marrë 539 076 vota, ndërsa koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” ka fituar 492 221 vota
TIRANË- Partia Demokratike ka humbur bashkitë kryesore në vend, por ka fituar dukshëm votat në rang republike nën siglimin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar dje për herë të parë votat në rang Republike të dy koalicioneve; Aleanca për Qytetarin dhe Aleanca për të Ardhmen. Sipas KQZ-së, nga rezultati për këshillat bashkiake të 43 bashkive, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka marrë 539 076 vota, ndërsa koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” ka fituar 492 221, çka e vendos mazhorancën në diferencë prej 46 855 votash nga opozita.
Po sipas rezultatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votat jashtë dy koalicioneve janë 61 662. Në rezultatin e deritanishëm në rang vendi të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” kanë ndikuar ndjeshëm votat që kanë marrë dy partitë në koalicion me PD-në, LSI-ja dhe PDIU-ja, parti të cilat në bashki apo komuna të caktuara kanë marrë vota të konsiderueshme. Revanshi i fitores së votës popullore ka bërë që deri më tani, në disa prej bashkive të fituara bujshëm, PS-ja nuk do të mund të ketë shumicën në këshillin bashkiak. Kështu, Partia Socialiste ka fituar për herë të parë Bashkinë e Burrelit përmes kandidates Adelina Farrici. Por, ka humbur shumicën në këshillin bashkiak të saj. Në Burrel, përpos fitores së PS-së, Aleanca për Qytetarin ka marrë më shumë vota për këshillin bashkiak, plot 2 765 vota, ndërsa koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” ka fituar 2 500 vota. Një tjetër fitore për PS-në ka qenë edhe Bashkia e Shijakut, por këshillin bashkiak do ta kontrollojë mazhoranca, pasi koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka marrë 2 504 vota, ndërsa koalicioni i opozitës 2 195 vota. E njëjta situatë ndodhet edhe në Kavajën e fituar nga PS-ja, ku koalicioni i mazhorancës ka fituar 5 952 vota, ndërsa koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” 3 189 vota. Në Përmet po ashtu koalicioni i mazhorancës ka marrë 1 786 vota kundrejt koalicionit të opozitës, që ka marrë 1685 vota. Edhe pse rezultatet sa më sipër janë vetëm për 43 bashki, duket qartazi se PS-ja ka fituar bashkitë, por në shumicën prej tyre ka humbur mazhorancën e këshillave bashkiake.
Përmet
AQ- 1786
AA 1685
Patos
AQ- 4466
AA- 4431
Shijak
AQ- 2504
AA- 2195
Burrel
AQ- 2765
AA- 2500