Zgjedhjet në Francë, Macron drejt humbjes së shumicës në parlament

Presidenti francez Emmanuel Macron nuk ka arritur të fitojë shumicën në parlament sipas projeksioneve të para. Teksa kutitë e votimit u mbyllën duket se Macron po humb kontrollin e Asamblesë Kombëtare franceze.
Vetëm dy muaj pasi u rizgjodh president, projeksionet tregojnë se Macron nuk ka mundur dot të marrë mazhorancën, gjë që mund ta pengojë atë të çojë para reformat e tij.
Macron kishte më shumë se 300 vende në parlamentin në largim dhe mundi bindshëm Le Pen në zgjedhjet presidenciale në prill. Për të ruajtur shumicën e tij të plotë, atij i duheshin 289 vende, por projeksionet e para të zgjedhjeve të sotme flasin për 210 deri në 250 ulëse që mund të marrë Macron.
Aleanca e së majtës ekstreme e Jean-Luc Mélenchon, e quajtur ‘Nupes’ mund të fitojë 150 deri në 180 vende, ndërsa aleanca e ekstremit të djathtë do të shkojë nga 80 dhe 100 ulëse.
/rtsh.al/