Zgjedhjet në PD, Basha dorëzon zyrtarisht kandidaturën e tij

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ka dorëzuar zyrtarisht ditën e sotme formularin e kandidimit për kreun e kësaj partie në zgjedhjet që do të mbahen më 13 qershor. Ashtu siç pritej, zoti Basha kërkon të vijojë të drejtojë Partinë Demokratike. Gjatë ditës së sotme e dorëzuan formularin për kandidaturën e tyre për kreun e PD edhe Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi, ndërsa Ibsen Elezi, edhe pse shpalli kandidaturën e tij, pritet që ta dorëzojë atë zyrtarisht ditën e nesërme, kur është edhe afati i fundit i dorëzimit. Po nesër do dorëzojë formularin e kandidimit edhe ish-zv.kryetari i FRPD, Lisandër Hoxha.