Zgjedhjet në PE, në garë edhe kandidati shqiptar Muharrem Salihu. Nazarko: Do jetë zë i fuqishëm për kauzat shqiptare

Ky 9 qershor është cilësuar si “super e diela”, ku qindra milionë qytetarë të BE-së do të hedhin votën e tyre për zgjedhjen e përfaqësuesve në Parlamentin Evropian. Kjo është dita e fundit e votimeve të nisura më 6 qershor dhe zgjedhjet do të mbahen sot në 21 vende të BE-së.
Nga Italia gazetari Mentor Nazarko ka analizuar votimin më të madh ndërkombëtar në botë në një intervistë në RTSH24, ku fokusi kryesor ka qenë pikërisht Muharrem Salihu, kandidati i parë shqiptar që kërkon ulësen e eurodeputetit në Parlamentin Evropian.
Gazetari Nazarko shkrehu bindjen se Muharrem Salihu do të fitojë ulësen e tij, pasi në zonë ku kandidon ai jetojnë rreth 150 mijë shqiptarë me të drejtë vote dhe për të fituar postin e eurodeputetit i duhen 25-30 mijë vota.
Fitorja e tij, për gazetarin Nazarko do të thotë afirmim i rolit të komunitetit shqiptar në Itali edhe në jetën politike të vendit. Nazarko u shpreh se Muharrem Salihut do të përfaqësonte zërin e parë që do të çonte në foltoren evropiane kauzat e shqiptarëve
“Bëhet fjalë për një kandidatë në një zonë në verilindje të Italisë, ku përfshihen 4 rajone dhe me një sipërfaqe që nuk është e madhe, por ku jetojnë rreth 150 mijë shqiptarë me të drejtë vote. Pragu për arritjen e fitores është 25-30 mijë vota. Shqiptarët sot nuk janë ai kontingjent që bëjnë punët më të rëmdonta dhe etiketohen negativisht. Sot shqiptarët janë një realitet i fuqishëm ekonomik, politik pasi votojnë në të gjitha zgjedhjet në Itali. Fitorja ka gjasa të mundësohet dhe zgjedhja e tij do përfaqësonte zërin e parë të fuqishëm shqiptar në atë që të foltorja më e rëndësishme e popullit evropian. Ai mund të jetë i vetmi, por do të ketë mundësi që të çojë në këtë foltore kauza të rëndësishme që deri më tani ia kemi adresuar miqve të shqiptarëve, që kanë aktivizuar kauza të rëndësishme të popullit shqiptar. Uroj që ai të çojë para kauzat e popullit shqiptar. Nëse ai do të zgjidhet do të ishte një afirmim politik i shqiptarëve në Itali si një realitet i organizuar elektoral”, tha Nazarko
Po çfarë do të tregonte një fitore e Muharrem Salihut? Për Nazarkon kjo është edhe joshje por edhe frikë si nga politika shqiptare dhe ajo italiane.
“Nëse do të fitojë kjo edhe e josh politikën shqiptare dhe italiane, por edhe i krijon frikë. Pse? Komuniteti shqiptar me afrimin e Salihut do kishte demonstrimin e fuqisë së elektoratit shqiptar në Itali. Por gjithashtu shqiptarët në Itali janë një realitet elektoral i pa patronazhuar lidhur me orientimin e tyre elektoral dhe ky realitet do kishte zë që do shërbente si pikë referimi për politikën italiane dhe shqiptare dhe kjo është arritja e parë. Arritja e dytë është që figurat e ndritura do të nxiten të futen në realitetin politik të Italisë. Kjo do të organizojë shqiptarët që t’i imponohet politikës italiane lidhur me kauzat e caktuar”, tha Nazarko.
Muharrem Salihu është kandiduar nga partia italiane “Shtetet e Bashkuara të Europës”, por në fokus kryesor të fushatës së tij ka qenë pikërisht çështja e emigracionit dhe roli i Evropës në konfliktin në Ukrainë.
/rtsh.al/