E Martë, 3 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Serbi me parregullsi, BE thirrje Beogradit të trajtojë gjetjet e OSBE-ODIHR

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një reagim pas publikimit të raportit të misionit OSBE-OHDIR, kërkoi që Serbia t’i trajtojë me transparencë gjetjet e tij.

“Raporti për zgjedhjet parlamentare konfirmon shqetësimet se procesi elektoral kërkon përmirësim të ndjeshëm dhe reforma të mëtejshme. Raportimet për  parregullsi duhet të trajtohen në mënyrë transparente, duke përfshirë edhe ato që lidhen me zgjedhjet lokale,” ka shkruar Stano në rrjetin “X”.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e shprehur nga  autoritetet serbe për të punuar me ODIHR në zbatimin e rekomandimeve.

“Nuk ka kohë për të humbur përpara zgjedhjeve të ardhshme në vend,” ka theksuar ai.

Në raportin e publikuar një ditë më parë, vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën se në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi ka pasur blerje votash, presione ndaj punonjësve publikë, keqpërdorim të fondeve publike, retorikë të ashpër kundër kundërshtarëve dhe dominim nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Qeveria serbe nuk u pajtua me gjetjet e OSBE-ODIHR. “Ky raport, pas disa muajsh paqëndrueshmërie, i jep fund të gjitha gënjeshtrave për vjedhjen e zgjedhjeve. A pajtohemi me gjithçka që thuhet në këtë raport, sigurisht që jo, por ne vazhdojmë të zbatojmë rekomandimet,” tha kryeministrja në detyrë e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Ndërsa koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” bëri të ditur se raporti përfundimtar konfirmon të gjitha parregullsitë zgjedhore. Ata kërkojnë zgjedhje të reja e përmirësim të kushteve të proceseve elektorale.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›