E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati i ekstremit të djathtë fiton në raundin e parë

Calin Georgescu, një politikan i ekstremit të djathtë dhe kritik i NATOS ka dalë në vend të parë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën një ditë më parë në Rumani.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Georgescu do të përballet në raundin e dytë me Marcel Ciolacu, aktualisht kryeministër i Rumanisë ose kandidaten e qendrës së djathtë Elena Lasconi.

Këta dy të fundit po luftojnë për një nujmër shumë të vogël votash për të kaluar në raundin e dytë që do të mbahet në 8 dhjetor.

Rezultati i papritur ka tronditur politikën e vendit pasi kryeministri Ciolacu pritej të ishtë në krye të rezultateve.

Georgescu u fut në garë si kandidat i pavarur me qëndrime të forta kundër Aleancës Euroatlantike.

Më herët ai është shprehur se NATO nuk do të mbrojë asnjë nga anëtarët nëse ata sulmohen nga Rusia.

Përvec kësaj qëndrimet e tij përfshijnë mbështetjen e fermerëve rumunë, reduktimin e varësisë nga importet dhe rritjen e prodhimit të energjisë dhe ushqimit.

Nga ana tjetër kandidatja e opozitës Elena Lasconi ka premtuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe mbështetje ndaj Ukrainës.

Presidenti në Rumani shërben për një mandat pesë-vjeçar dhe ka kompetenca të rëndësishme vendimmarrëse për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme.

Rumania është aleate e rëndësishme për Ukrainën fqinje, pasi përveç ofrimit të ndihmës ushtarake, ajo ka luajtur rol kyç në transportimin e grurit ukrainas në tregjet globale./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›