Zgjedhjet serbe do mbahen në 28 rajone të Kosovës
Serbia ka vendosur që të zhvillojë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në 28 rajone të Kosovës. Lajmi bëhet i ditur nga agjensia e lajmeve serbe B92 e cila thekson se në 6 maj do të votohet në Fushë-Kosovë, Lipjan, Obiliç, Graçanicë, Lipjan, Llaplesellë, Shtërpcë, Pejë, Gorë (Dragash), Rahovec, Vushtrri, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë, Leposaviqç, Viti, Gjilan, Kamenicë dhe Novobërdë.
Numri i vendvotimeve në Kosovë, sipas sekretarit të Kuvendit të Serbisë, Velko Odalloviçit, është pakësuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara. “Rrezikun e sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Kosovë e ka marrë për sipër OSBE-ja”, ka deklaruar Odalloviç, sipas të cilit tashmë kanë filluar përgatitjet e zgjedhjeve.
Zgjedhjet parlamentare, presidenciale e lokale në Serbi janë caktuar për datën gjashtë maj. Qeveria e Kosovës, Presidentja si dhe Quinti kanë përshëndetur gatishmërinë e OSBE-së për të lehtësuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.