Zgjedhjet vendore, KQZ: Votim dhe numërim elektronik në Vorë, Kamëz dhe Elbasan

Elbasani, Kamza dhe Vora do të jenë bashkitë ku do të aplikohet votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhjet vendore të 14 majit. Lajmi u bë me dije këtë të mërkurë (1 shkurt) në seancën publike të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Fillimisht ishte parashikuar vetëm Vora, por KQZ zgjeroi hartën e votimit elektronik edhe me dy bashkitë e tjera, vendim i cili vjen pas akoordimit të fondit shtesë nga Qeveria.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se institucioni që ai drejton ka kërkuar që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik të kryhet në 6 bashki, por për shkak të buxhetit, ky projekt u vendos të implementohej vetëm në 3 bashki.
“Ne kemi kërkuar për 6 bashki. Buxheti është në përputhje me numrin e qendrave të votimit që ka bashkia Elbasan dhe Kamëz. Ne kemi vlerësuar se mund të përfshihej dhe Durrësi dhe ndoshta dhe ndonjë bashki tjetër, mund të ishte dhe bashkia e Himarës, por me kalimin e kohës, duket se ne na ulen mundësintë për të shtrirrë më tej projektin. Jemi vonë për t’u përgatitur procesin e votimit elektronik në Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Kemi pritur që buxheti të ishte i tillë, i disponueshëm për KQZ kohë më parë që projekti të realizohej në 6 bashkitë që kemi kërkuar, për aq buxhet sa i është dhënë KQZ, 72 mln euro, në vlerësimin tonë përfshin atë numër qendrash votimi që I korespondon bashkisë së Elbasanit si numërator dhe Kamëz, 122 qendra votimi në Elbasan dhe 130 bashkia Kamëz.
Ka patur diskutim brenda KQZ që të zhvillonim projektin pilot vetëm në Durrës sepse numri i qendrave të votimit është i njëjtë me atë të Kamzës dhe Elbasanit. Bën sens ta zhvillojmë në 2-3 bashki të tjera se sa në 1 të vetme. Sepse është projekt pilot dhe nëse do bëhet në rang kombëtar kemi të dhënat si fdo funksionoj ky projekt pilot. Do preferonim të ishte Tirana por s’u bë e mundur për shkak të mungesës së financave“, tha Celibashi.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, KQZ-së iu akordua një fond shtesë prej 800 milionë lekë për organizimin e zgjedhjeve vendore të 14 majit, fond i cili do të shkonte për shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik në dy bashki të tjera.
Kujtojmë se në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit të vitit të kaluar, votimi dhe numërimi elektronik u aplikua në bashkinë e Vorës, ndërsa në zgjedhjet e përgjthshme të 25 prillit të 2021, u aplikua në njësinë 10 në Tiranë.
/rtsh.al/