Zgjedhjet vendore në 9 maj, Balla: Shqiptarët votojnë në Ditën e Evropës

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se PS do të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme vendore të 9 majit 2027 me objektivin e fitores në 46 bashkitë e vendit.
Balla u shpreh se 9 maji është një ditë që bashkon historinë me të ardhmen dhe qytetarët me zgjedhjen e tyre demokratike.
“Zgjedhjet vendore do të zhvillohen më 9 maj 2027, në një datë me simbolikë të veçantë historike dhe europiane. 9 Maji shënon Ditën e Europës, por edhe përkujton fitoren mbi fashizmin dhe vlerat e lirisë, demokracisë, paqes dhe bashkëpunimit europian. Shqipëria në Europën e Bashkuar, me demokraci, dinjitet dhe besim te e ardhmja”, u shpreh Balla.
Sipas tij, “anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv strategjik kombëtar, që kërkon angazhim të qëndrueshëm, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë evropianë”.
Ndaj Balla theksoi se “viti 2027 është vendimtar për mbylljen e negociatave dhe dy vitet pasuese po aq të rëndësishme për procesin e ratifikimit të traktatit të anëtarësimit nga vendet anëtare”.
“Shqipëria nuk mund ta humbë këtë momentum historik. Vetëm Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste do ta përmbyllin këtë proces historik: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Më 9 maj 2030 flamuri kuqezi do të valëvitet krenar në oborrin e Parlamentit, Komisionit apo Këshillit Europian, në Bruksel dhe Strasburg. Prandaj në funksion të këtij angazhimi dhe në shërbim të qytetarëve ne konkurojmë në Zgjedhjet Vendore me objektivin e fitores në 46 bashkitë e vendit më 9 Maj 2027”, shtoi Balla.
/m.m/j.p/r.e/