Hita: 52 persona të identifikuar për dhunën gjatë protestave, media është partnere e rëndësishme

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit ka identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunës gjatë protestave të dy javëve të fundit në kryeqytet, ndërsa materialet procedurale në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurori. Gjatë këtyre protestave janë plagosur 201 punonjës policie.
Të dhënat u bënë të ditura sot nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, në një deklaratë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo.
Hita deklaroi se strukturat e policisë kanë intensifikuar hetimet për identifikimin dhe dokumentimin e personave të përfshirë në aktet e dhunshme ndaj efektivëve, institucioneve dhe pronës publike e private.
“Gjatë dy javëve të fundit, kryeqyteti është përballur me akte të rënda dhune, të drejtuara ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke cenuar njëkohësisht sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore”, u shpreh Hita.
Ai bëri të ditur se si pasojë e këtyre akteve janë plagosur 201 punonjës policie, të cilët ndodheshin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas Hitës, nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike janë identifikuar deri tani 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte të dhunshme, edhe pse disa prej tyre janë përpjekur të fshehin identitetin përmes maskimit.
“Materialet procedurale në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore. Puna hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike vijojnë, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e plotë të çdo veprimi të dhunshëm të kryer gjatë dy javëve të fundit”, deklaroi drejtori i Policisë së Shtetit.
Hita u bëri thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të tyre në situata ku ushtrohet dhunë dhe rrezikohet siguria e tyre. Ai iu drejtua gjithashtu qytetarëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe të bashkëpunojnë me shërbimet e policisë për ruajtjen e rendit publik.
“Policia e Shtetit është dhe mbetet e vendosur të garantojë të drejtën kushtetuese të tubimit dhe protestës paqësore, por njëkohësisht do të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit, ndaj cilitdo që përdor dhunën, rrezikon jetën e njerëzve apo dëmton pronën publike dhe private”, theksoi ai.
Hita foli edhe për marrëdhënien e Policisë së Shtetit me median, duke konfirmuar respektin institucional për rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike.
Ai vlerësoi se gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët kryejnë një mision me interes publik, shpesh në kushte të vështira dhe me rrezik të shtuar, ndaj e drejta e tyre për të ushtruar profesionin në mënyrë të lirë dhe të pavarur duhet të respektohet e të mbrohet.
“Policia e Shtetit e konsideron median një partner të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në garantimin e transparencës institucionale”, deklaroi Hita.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes policisë dhe përfaqësuesve të medias duhet të mbështetet te respekti i ndërsjellë, komunikimi i vazhdueshëm, transparenca dhe përgjegjësia profesionale.
Sipas tij, gjatë tubimeve dhe situatave të tensionuara është e nevojshme të forcohet koordinimi në terren, përmes komunikimit të qartë dhe në kohë mes shërbimeve policore dhe gazetarëve.
Hita nënvizoi se ky bashkëpunim duhet të garantojë njëkohësisht ushtrimin e papenguar të veprimtarisë gazetareske dhe respektimin e masave të ligjshme të sigurisë, të cilat synojnë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë personave të pranishëm.
Ai shtoi se çdo pretendim për pengim të punës së gazetarëve apo sjellje të papërshtatshme nga punonjës të policisë trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me procedurat ligjore.
“Siguria e gazetarëve dhe liria e informimit nuk janë në kundërshtim me garantimin e rendit publik. Përkundrazi, ato janë përgjegjësi që duhet të përmbushen së bashku, përmes profesionalizmit, mirëkuptimit dhe respektimit të ligjit”, u shpreh Hita.
Drejtori i Policisë së Shtetit përsëriti angazhimin e institucionit për të garantuar kushtet që gazetarët të ushtrojnë profesionin e tyre të lirë dhe të sigurt, si dhe për të forcuar bashkëpunimin me organizatat përfaqësuese të medias.
“Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë. Media ka misionin të informojë. Respektimi i këtyre dy përgjegjësive është në interes të qytetarëve dhe të një shoqërie demokratike”, përfundoi Hita.
/gj.m/r.e/a.f/