Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës/ ARRSH: Devijim i qarkullimit gjatë natës, më 1, 2 dhe 3 shtator

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar kufizime të përkohshme në qarkullim në aksin Tiranë-Durrës, në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”.
Sipas ARRSH-së, në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, në intervalin 23:00 të mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit, do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit. Për garantimin e sigurisë gjatë punimeve, do të ketë bllokim të përkohshëm të korsive të lëvizjes në të dyja drejtimet, Tiranë-Durrës dhe Durrës-Tiranë. Tiranë-Durrës: devijim nëpërmjet rampës së Rinasit, rruga dytësore, rruga e Rinasit, rikthim në autostradë drejt Durrësit.
Për mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, devijimi do të nisë që në nyjën “Casa Italia”, duke vijuar më pas përmes rrugës dytësore.
Në drejtimin Durrës-Tiranë, automjetet do të devijohen nëpërmjet mbikalimit Kashar-Thumanë dhe do të vijojnë në rrugën dytësore në anën e majtë. Rikthimi në autostradë do të bëhet pas mbikalimit të Kasharit.
Ndërkohë, automjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar-Thumanë, për të vijuar më tej në drejtimin përkatës.