E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi i bulevardit, Bashkia e Tiranës prezanton 2 projektet

Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot dy projektet finaliste për zgjerimin e bulevardit të kryeqytetit. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Lulzim Basha ka theksuar se projekti i bulevardit është projekti më madhor që qyteti po harton për veten e tij në këto vitet e fundit.

“Kjo javë është nga më të rëndësishmet në planifikimin e vizionit të saj afatgjatë. Në 3 ditët e para të kësaj jave në galerinë e arteve ne do të shohim 2 projektet finaliste dhe përfaqësuesit të na argumentojmë se përse projekti i tyre është më i mirë dhe si i përgjigjet ai parametrave të zhvillimit afatgjatë dhe vizionit tonë për një Tiranë europiane” theksoi Basha.

Sipas tij projekti do të jetë në shërbim të komunitetit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës si dhe një mundësi më shumë për të rritur numrin e të punësuarve.

Ai gjithashtu ka vlerësuar procesin si shumë emocionues e të bukur ka deklaruar se përzgjedhja do të shënojë më pas edhe nisjen e shpejtë të punës.

“Kemi diskutuar me grupet e interesit se si mund të maksimalizojmë përfitimet edhe në pjesë të tjera të Tiranës, kemi folur me botën e biznesit për impaktin e menjehershëm për hapjen e mijëra vendeve të punës dhe planet afatgjatë në krijimin e një poli të ri zhvillimi ekonomik”- tha Basha.

Ndërkohë dy kompanitë finaliste që janë përzgjedhur janë studiot DAR Group Turkey & United Kingdom , dhe The Netherlands Grimshaw Architects midis të cilave do të shpallet zbatuesja finale e projektit të bulevardit. Bulevardi i ri i Tiranës përfshin një zgjatim drejt Paskuqanit 1.7 km, ndërsa rehabilitimi i lumit të Tiranës mendohet në një sipërfaqe prej 6.7 km.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›