Zgjerohet oferta e formimit profesional, QFP Shkodër hap kurse të reja në turizëm dhe aftësimin digjital

Kurset e reja në fushën e turizmit dhe aftësimit dixhital pritet t’i shtohen ofertës së Qendrës së Formimit Profesional në Shkodër brenda këtij viti. Drejtuesja e qendrës Rozafa Zmijani bën me dije se po punohet për zgjerimin e profileve të trajnimit, me synim përshtatjen e tyre me kërkesat në rritje të tregut të punës.
“Vëmendja e qendrës është edhe drejt kurseve të reja, siç janë guida turistike dhe digital marketing, të cilat po punohen bashkë me kurrikulat, të cilat janë gati. Po punohet në lidhje me hapjen e këtij kursi. Janë dy kurse të kërkuara nga të rinjtë, sidomos në kuadër të Garancisë Rinore”, tha ajo. .
Gjatë periudhës janar-korrik, mbi 570 persona janë trajnuar në kurset profesionale dhe programet e aftësimit për punësim. Veç numrit të lartë të të trajnuarve, një tjetër element i rëndësishëm i këtij viti vlerësohet larmishmëria e drejtimeve të trajnimit.
“Kemi hapur për herë të parë këtë gjashtëmujor edhe kurset e artizanatit.Në kurset e artizanatit kemi hapur dhe këtë e kemi hapur jashtë qendrave, duke i bërë direkt në ambientet e bizneseve. Një biznes na ka dhënë mundësinë, në bashkëpunim me një organizatë. Janë kurset e tekstilit që e kemi hapur në Valdis, kursin e sapunit që e kemi hapur në zonën rreth Ndojës”, tha ajo.
Brenda muajit shtator, Qendra e Formimit Profesional në Shkodër do të rinisë kurset që zhvillohen prej vitesh në profilet më të kërkuara, si kuzhinë, parukeri, elektricist dhe hidraulik. Oferta e trajnimeve në gjashtëmujorin e parë të vitit është pasuruar edhe me profile në fushën e artizanatit.
/rtsh.al/