E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduken pajisjet policore në Polici

Në Drejtorinë Rajonale të policisë në Pejë dyshohet se serish ka ndodhur një rast vjedhjeje nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Këtë radhë nuk është “zhdukur” ari apo ndonjë material tjetër me vlerë nga dhoma e dëshmive, por pajise policore, dylbitë për aksionet e policisë gjatë natës, kanë bërë të ditur burime të gazetës brenda policisë.

“Tri palë dylbi në vlerë prej rreth 15 mijë eurosh mungojnë edhe për këtë janë pezulluar katër policë”, ka thënë burimi i gazetës Tribuna, duke shtuar se këto dylbi janë donacion nga shteti amerikan për Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës.

Për këtë “zhdukje” nuk ka dashur të flasë askush nga zyrtarët e policisë në Pejë, madje zëdhënësi i policisë atje nuk ka mundur as të konfirmojë pezullimin e katër policëve të Drejtorisë Rajonale në Pejë.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, sipas të cilit, nuk bëhet fjalë për vjedhje të dylbive, por policët janë pezulluar për keqmenaxhim të pajisjeve policore. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›