E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket kontejneri me municion

Skandal në Portin e Durrësit. Inventarit të 60 kontejnerëve me armatim që Shqipëria do tia shiste Armenisë, i mungon njëri.

DURRËS - Afro 1.800 tonë municione që patën destinacion Armeninë vitin e kaluar, të cilat u kthyen pas nga autoritetet e turke, po transferohen gjatë orëve të vona të mbrëmjeve nga reparti nr. 4442 në Shkozet të Durrësit, drejt portit të këtij qyteti. Transferimi i municioneve  do të vazhdonte, nëse nuk do të zbulohej çudia e radhës me municionet shqiptare. Ka humbur njëri nga kontejnerët.

Municionet

Skandali i shitjes së armëve shqiptare një vendi në konflikt, siç është Armenia, u bë publik vitin që shkoi, kur autoritetet e Turqisë bllokuan një anije që po transportonte rreth 60 kontejnerë drejt vendit kaukaz. Që nga ajo periudhë, municionet janë mbajtur në Shkozet, por së fundi për arsye që nuk dihet, ato po rikthehen në portin e Durrësit dhe autoritetet nuk japin asnjë shpjegim për këtë lëvizje. Ato po transportohen gjatë natës me kamionë për në terminalin e kontejnerëve në portin e Durrësit, për shkak se reparti ushtarak i Shkozetit nuk ofronte garanci dhe siguri për këto lloj municionesh. Sipas burimeve të besueshme, në 60 kontejnerët me municionet e bllokuara në korrik të vitit 2007 gjenden municione artilerie. Burimet bëjnë të ditura se aty ka predha 75 mm të topave me zmbrapsje tip depërtues dhe fragmentare, predha për top 76 mm fushor, predha top 100 mm bregdetar dhe tankist, predha top obuz 122 mm dhe predha top 130 mm i tërhequr me autotraktorë.

Transferimi

Nga burime zyrtare mësohet se largimi i kontejnerëve është bërë me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes, për shkak se reparti ushtarak ka probleme me kullimin e ujit dhe ky i fundit nuk përbën garanci për vetitë kimiko-fizike të predhave që përbëhen nga baruti, lëndë iniciale dhe tritol. Në këtë mënyrë ka filluar transportimi i kontejnerëve drejt terminalit në port, por transporti është ndërprerë menjëherë pas fillimit të këtij operacioni. Shkak duket se është bërë mungesa e një kontejneri, pasi gjatë numërimit kanë rezultuar se janë 59 kontejnerë dhe jo 60, aq sa ishin “magazinuar” fillimisht. Në këtë mënyrë, personat përgjegjës po shohin mundësinë që kontejneri që mungon mund të jetë futur në depo apo magazina të repartit në fjalë. Operacioni ka nisur natën dhe mendohet se ai mund të përfundonte brenda një ose maksimumi dy netësh për transportimin e të gjithë kontejnerëve. Nuk dihet se çfarë destinacioni kanë 60 kontejnerët pas mbërritjes së tyre në terminalin e përpunimit të kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Incidenti

Municionet në fjalë u kthyen mbrapsht nga “Meico”, pas sherrit që plasi midis Azerbajxhanit dhe vendit tonë, i cili akuzoi Shqipërinë se po i shiste armë dhe municione një vendi që ishte në konflikt me të, Armenisë. Asaj kohe, në fund të korrikut të vitit të kaluar, ministri ynë i Jashtëm, Lulzim Basha, siguroi homologun e tij azerbajxhanas nëpërmjet një telefonate, se do të bllokonin çdo kontratë të ndërmarrjes shtetërore “Meico” me Armeninë dhe se nuk do të ndërhynin në konfliktin e tyre. Lajmi u publikua vitin e kaluar nga mediat zyrtare armene. Sipas këtyre burimeve, “autoritetet turke kanë refuzuar tranzitin e një dërgimi armësh shqiptare dhe fishekësh për në kufijtë armenë”. Ata detyruan anijen shqiptare të kthehej mbrapsht, së bashku me ngarkesën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›